Nëse Partizani në derbin me Tiranën do të kopjonte “lojën” e presidentit Demi në intervistën e fundit, e verteta e fushës do të ishte ndryshe nga ajo e fjalëve se “Tirana është pretendente këtë herë”. Kanë mbyllur gojën “demat”, edhe Starova nuk ka patur zellin karakteristik për të rrëfyer kleçkat e derbit, por është vetë presidenti Gaz Demi që jep një spektakël të ekulibruar para mikrofonit. “Përse nuk flet Partizani para Derbit?- pyet me ironi Demi i “demave”- Nuk ju mjafton që po flisni me presidentin e ekipit, por doni që të flasin të gjithë, për të mbushur emisionet tuaja”.
Tirana është më e fortë? Këtë e thotë presidenti i kuq, ai që zakonisht nuk është treguar kaq bujar në ndeshjet derbi, sidomos kur ke të bësh me një njeri që futbollin e shijon vetëm si fitues. Por, në vitin e katërt në krye të ekipit, përvoja bëhet një asist i nevojshëm për të qënë më diplomat dhe më elastik edhe në prag të ndeshjes që “kapërcen” edhe ylberin e titullit. A mund të besohet si e vërtetë logjika e tifozëve se një triumf në derbi vlen më shumë sesa vetë titulli? Gaz Demi e përgënjeshtron pa hezitim: “ Çfarë rëndësie ka nëse fiton Partizani ose Tirana dhe të dyja mbeten nesër jashtë Europe!”
Sfidanti.al