Flamurtari në festë më shumë sesa për fitoren, për rrogat!

Erdhi më në fund dita e mrekullisë. Futbollistët e Flamurtarit mund të jenë ndër më të lumturit rrogëtarë në botë, dhe kjo sepse pas 5 muajsh me syrin “bakër”, do të marrin rrogat e prapambetura. Klubi ka bërë me dije se paratë janë hedhur në bankë dhe se mund të tërhiqen ditën e sotme. Bëhet fjalë për të gjitha detyrimet që presidenti Idrizi u kishte futbollistëve të tij, pra për 5 muaj. Jo vetëm kaq, por do të ketë edhe nga 10 për qind shtim pagese për 3 nga muajt, ndërsa fondi i përgjithshëm besohet se i kalon 500 mijë eurot, e ndoshta shkon shumë më tepër.
Flamurtari në bazë të kontratave është një nga skuadrat më të paguara të kampionatit, por u ndodh në krizë të rëndë për shkak të mosdhënies së parave nga ana e kompanive turke, Atlas dhe TRT. Presidenti Idrizi ka deklaruar se e kishte të vështirë që të firmoste ai për kalimin e parave, pasi është vetëm administratori dhe jo pronar apo aksioner kryesor i kompanive. Nuk dihet se çfarë i ka penguar kompanitë turke që të japin paratë, ndonjë krizë e papritur likuiditeti në vendin e tyre, apo ndonjë problem politik, gjë që nuk do të ishte çudi në Turqi.