Një sezon kaq i vështirë rrallë i qëllon kësaj skuadre, por të paktën një trofe mund ta marrë. Bajerni hoqi “të zitë e ullirit” për të mundur Hajdenhajmin në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë, edhe pse u luajt në “Alianc Arena” të Mynihut, me një rezultat të veçantë 5-4. Natyrisht, Kupa gjermane është e tillë që edhe eleminimi i kampionëve nuk do të kishte qenë “fundi i botës”.
Ishte ndeshja e Tomas Mylerit që shënoi për vendasit, dhe e Robert Levandovskit që realizoi dy herë, bashkë me golin e fitores 5-4 në minutën e 84-ët me penallti. Ishte sidomos mbrëmja e lojtarit mik, Robert Glacel. Sulmuesi gjigand i miqve (1.93 metra) shënoi tri herë, madje duke i dhënë Hajdenhajmit epërsinë momentale 2-1. Të 75 000 spektatorët u kënaqën me emocionet, por drama nuk u bëri shumë mirë për zemrën, pasi ekipi i tyre rrezikoi shumë.
Ishte një përgatitje e mirë psikologjike përpara “finales” së Bundesligës ndaj Dortmundit këtë të shtunë, veçse ishte edhe një shpenzim energjish, pasi lojtarët kryesorë të trajnerit Kovaç ishin në fushë, si Kimih, Zyle, Humels, Tiago, Gorecka, Hames Rodrigez, Gnabri, Tomas Myler, e në pjesën e dytë Levandovski.
Kupa e Gjermanisë ka tani katër ekipet gjysmëfinalistë, mes të cilëve edhe Verderi i Bremenit, ku luan shqiptari i Kosovës, Milot Rashica. Sulmuesi shënoi në fitoren 2-0 në fushën e Shalkes, goli i tij i parë në kupë dhe i 8-ti në sezon. Skuadrat e mbetura në garë janë Bajerni, Verderi, Hamburgu dhe Lajpcigu, me shortin që do të hidhet në 7 prill.
Sfidanti.al