Skenari do të kishte qenë madhështor. Ekipi përfaqësues i shtetit më të ri dhe më të vuajtur të Europës do të dilte në fushë në 10 shtator të këtij viti, në stadiumin padyshim më të famshëm të kontinentit, pse jo të gjithë botës. Kosova në “Uembli” është ëndrra e çdo tifozi shqiptar të atjeshëm (shpresohet të jetë edhe e nënshtetasve të etnive të tjera), por duket se nuk do të realizohet.
Federata Angleze ka në plan që kombëtarja të luajë disa ndeshje në stadiume të tjerë, për t’i dhënë mundësi edhe tifozëve të qyteteve të tjera që të kenë pranë skuadrën që arriti në gjysmëfinalet e Botërorit dhe në të Ligës së Kombeve. Me shumë gjasë, Kosova do të luajë në stadiumin “Shën Mëria” (Sent Meri) të Sauthemptonit, ndeshjen e eleminatoreve të Europianit.
Pra, me 99 për qind, djemtë kosovarë nuk do të dalin nga tuneli i famshëm i Stadiumit Mbretëror të Londrës, aty ku kaluan kapitenët e mëdhenj si Stenli Metjus apo Bobi Mur, aty ku u luajt finalja e famshme e Kupës së Anglisë në 1923, që njihet si “finalja e kalit të bardhë”. Shpresohet që Federata Angleze të mendohet dy herë.
Sfidanti.al