Atletiko fiton, por “mundet” nga publiku: Respektoni tifozët tuaj

Edicioni në La Liga vazhdoi i mirë, me fitoren e dytë radhazi, dhe të paktën me vendin e dytë të shtrënguar fort në duar. Gjithsesi, nuk ishte një mbrëmje plotësisht e bukur për Atletikon e Madridit, pavarësisht suksesit 2-0 ndaj Gironës në “Uanda Metropolitano”. Arsyeja ishte zemërimi i tifozëve më të zjarrtë, të organizuar në grupin e tyre, dhe që protestuan fort.

Ata e lanë bosh pjesën e dytë të tribunës deri në minutën e 12-të, duke nënvizuar se janë lojtari i 12-të i skuadrës. Më pas, nxorrën një transparent ku shkruhej: “Respektoni tifozët tuaj”. Hatërmbetja e rëndë u shkaktua në Torino, në ndeshjen e humbur 0-3 me Juventusin në Champions.

Jo se tifozët u zemëruan nga rezultati, ndonëse u dëshpëruan shumë. Ata nuk i falën lojtarëve faktin që, menjëherë pas përfundimit të takimit, vrapuan për në dhomën e zhveshjes për të bërë dushin e për t’u ndërruar, dhe nuk kryen ritualin e zakonshëm për të shkuar më parë tek tifozët, për t’u përshëndetur me ta. Tifozët theksuan se udhëtimi për në Torino kushtoi jo pak financiarisht, dhe pati shtrëngesa për të rregulluar oraret e punës, ndaj respekti i lojtarëve duhej të ishte ai i duhuri.

Sfidanti.al