Përshtypja më e madhe kush shikon borderonë e njerëzve më të paguar në botë në futboll, është nga diferenca mes dy sekseve. Për momentin, meshkujt janë në “kozmos” dhe femrat në “katin përdhes”. Lionel Mesi është numri 1 i padiskutueshëm, edhe kur llogarit rrogën, shpërblimet dhe fitimet nga reklamat, me një total prej 130 milionë eurosh në sezon. Kristiano Ronaldo e ndjek me 113, Nejmar ka 91.5, ndërsa të tjerët janë shumë, shumë më poshtë.
Tek vajzat, Ada Heberberg fiton një rrogë të respektueshme, por që është vetëm … 400 000 euro në vit. Që do të thotë 325 herë më pak se Mesi. Shoqet e saj nuk janë larg, me Amandinë Henrinë po të Lionit me 360 000 euro, Uendi Renarin (Lion) me 348 000, Karli Llojd (Skaj Blu) me 345 000 dhe Martën (Orlando Prajd) me 340 000 euro në vit.
Gjithsesi, së fundi po shikohet një ndryshim i madh edhe në futbollin e femrave. Stadiumet kanë nisur të mbushen plot, siç ishte në ndeshjen Juventus-Fiorentina me 39 000 spektatorë në “Alianc Stadium” të Torinos, po aq sa për ekipin e djemve. Po ashtu, 48 000 spektatorë ishin në stadiumin e Bilbaos, për ndeshjen e femrave mes Atletikut vendas dhe Atletikos së Madridit, ndërsa rekordi i përket Meksikës me 51 000 tifozë në stadium. Popullariteti i rritur, shpejt do të kthehet në miliona.
Sfidanti.al