Guardiola: Jemi gati për të fituar të gjithë trofetë!

Asnjë skuadër tjetër në Angli nuk e ka bërë këtë gjë në të kaluarën. Ndoshta, as Mançester Siti mund të mos ia dalë, por Pep Guardiola ia jep shansin djemve të tij për të tentuar. Pas suksesit në Kupën e Ligës angleze, synohet titulli në Premier Ligë, Championsi si dhe Kupa e Anglisë, dhe skuadra e trajnerit katalanas është në konkurrim për gjithçka. Madje, në nisje të sezonit fitoi edhe Superkupën e Anglisë.

“Nuk ia vlen të mendojmë shumë për këtë, – u shpreh Guardiola, – thjesht, le të luftojnë si një makinë e vërtetë. Unë mendoj se lojtarët e mi janë gati për këtë. Deri në fillim të prillit, kemi fituar dy trofe, dhe po luftojmë për 3 të tjerat. Mënyra sesi po luajmë më tregon se lojtarët e mi duan që t’ia dalin”.

Nuk do të jetë aspak e lehtë, megjithatë. Në 25 ditë, Siti do të luajë 8 ndeshje, por Guardiola thotë se “ne mendojmë thjesht për ndeshjen e afërt, pra nuk mendojmë për Brajtonin në Kupë, por për Kardifin në kampionat, përvoja më thotë se vetëm kështu mund t’ia dalësh”. Kur ishte tek Barcelona, Pep ia doli të fitonte 5 trofe në një sezon, shpreson t’ia dalë edhe me Mançester Sitin, por siç thotë ish-mbrojtësi i “Arsenalit të Pathyeshëm”, Martin Kioun (Keown), “duhet të jesh afër perfeksionit që të fitosh kaq shumë”.

Sfidanti.al