Romario është me Mesin para CR7-ës, por më shumë me veten!

Padyshim është një nga golshënuesit më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Romario ka shënuar 772 rrjeta në 994 ndeshje, duke qenë në vendin e dytë në histori pas çekut Jozef Bican, veçse ka mendim edhe më të lartë për veten. Kampioni i botës i vitit 1994 (si dhe lojtari më i mirë i Botërorit) gjykon se ai është më lart se Pele, Maradona, Di Stefano, Krujfi apo Moreno, dhe se meriton “kurorën” e lojtarit më të mirë që kur ka filluar futbolli. “E kam të fiksuar në kokë dhe nuk ka nevojë të ma thotë njeri, do të vdes me këtë mendim”, – ishin fjalët e ish-sulmuesit të kthyer në politikan në Brazil.

Romario De Souza Faria, siç është emri i tij i plotë, i tha këto fjalë ndërsa u pyet se kush është më i miri i epokës së sotme, Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo. Pasi e la mënjanë modestinë për veten, ai deklaroi se “me diferencë të madhe jam për yllin e Barcelonës sepse ai më argëton shumë më tepër”. Ronaldo e Mesi, po ashtu, janë edhe golshënues të mëdhenj, i pari me 700 rrjeta (në 988 ndeshje) dhe i dyti me 683 në 858 takime. Ekziston mundësia që, të dy ata, ta kalojnë Romarion për numrin e golave në karrierë.

Sfidanti.al