Ndodh shpesh që bosët e klubeve italianë të mendojnë se i dinë të gjitha, dhe si për ta vërtetuar këtë gjë, ja ku kemi Aurelio De Laurentisin, presidentin e Napolit. Njeriu që vjet pati trajner Sarrin, dhe këtë sezon Ançelotin, nuk e ka problem të theksojë se tashmë, ekipi po ecën më mirë (ndoshta nuk e ka parë renditjen me 15 pikë prapa Juves, ndërsa vjet ishte pranë titullit deri javët e fundit).
“Balanca këtë sezon ka qenë shumë pozitive, – ishin fjalët e ADL-së, – trajneri i ri ndryshoi mentalitetin dhe mënyrën sesi i luajmë ndeshjet. Falë Ançelotit, ne kemi provuar potencialin e thuajse të gjithë lojtarëve. Ne i kemi marrë maksimumin atyre që janë më të përshtatshëm për stilin e Ançelotit, ndërsa të tjerët, edhe pse kampionë të mëdhenj, kanë luajtur në pozicione që u përshtaten më mirë”.
De Laurentis besohet se e ka fjalën për Mertensin ose Hysajn, ndërsa nuk ngurron të hyjë në çështje teknike dhe taktike. Nuk dihet se çfarë do të thoshte, nëse Ançeloti do të vendoste të largohej, por për fat duket se trajneri i shquar ka plane afatgjata. “Tek Milani drejtova për 8 vjet, – tha Ançeloti, – por, këtë rekord dua që ta thyej tek Napoli”.
Sfidanti.al