Barcelona, momentalisht, po lufton në të gjithë frontet për trofe, ndërkohë që gjatë verës së ardhsme pritet që në këtë ekip të bëhet një “remont” i vogël, por që, sidoqoftë, do të prekë përforcimin më të shtrenjtë të vitit të kaluar, Filipe Kutinjo, që nuk i justifikoi pritshmëritë e klubit dhe të tifozëve.
Në fakt, ky futbollist brazilian e nisi mirë sezonin, duke zhvilluar disa ndeshje shumë të mira, por më vonë filloi rënia e tij dhe ai thjesht “humbi”. Ka disa kohë që trajneri Ernesto Valverde nuk e ka në plan të parë Kutinjon, ndërkohë që ai shpesh po kritikohet edhe nga tifozët, kështu që tani po spekulohet se ai do të mund të shitet në fund të sezonit.
“Mundo Deportivo” shkruan se Kutinjo ka në plan që të largohet nga Barcelona, duke qenë se ai nuk arriti që të përshtatej me këtë ekip. Po ashtu, pretendohet se Kutinjo nuk i ka marrëdhëniet e mira me Lionel Mesin, kështu që ky i fundit, sikurse thuhet, ka dhënë “urdhër” që ai të shitet.
Kutinjo me Barcelonën, këtë sezon, ka luajtur në 40 ndeshje, ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë pesë pasime golash.
Sfidanti.al