Gara për ‘Këpucën e Artë’; Messi ‘u lë targën’ rivalëve

Lionel Messi shkëlqeu në mbrëmjen e së dielës teksa shënoi 3 gola në fitoren 4-1 të Barcelonës ndaj Betis, 2 prej të cilëve ishin vërtet spektakolarë. Kapiteni i skuadrës katalanase me këto 3 gola është ngjitur në kuotën e 29 finalizimeve duke u shkëputur ndjeshëm nga rivalët e tij në garën për Këpucën e Artë. Duke qenë se kampionati spanjoll e ka koeficentin e vështirësisë 2, atëherë Messi deri në këtë moment është në kuotën e 58 pikëve.

Ai që e ndjek më nga afër është sulmuesi i Paris Sën Zhermen, Kylian Mbape me 52 pikë për 26 gola të shënuar në Ligën Franceze të Futbollit. Podiumin e plotëson sulmuesi veteran i Sampdorias, fabio Kualjarela me 42 pikë për 21 gola të shënuar në Serinë A. Në vendin e katërt është Kristiano Ronaldo që në ndeshjen me Xhenoan u la pushim nga trajneri i Juventusit, Alegri, kështu që portugezi mbetet në kuotën e 38 pikëve të grumbulluar për 19 gola të shënuar me fanelën e bardhezinjve.

Ligat në Evropë do të rikthehen në fund të muajit mars pas sfidave të eliminatoreve të Euro 2020, kështu që deri atëherë klasifikimi për Këpucën e Artë në kontinentin evropian do të mbetet e tillë.

sfidanti.al