Nëse ka një president që i është afruar më shumë legjendarit Santiago Bernabeu, ky është Florentino Perez. Një njeri tepër i suksesshëm, sipas standardit të biznesit, dhe gjithnjë e më shumë mishërim i futbollit të epokës moderne, atë që nuk mund të kuptohet pa bilancin financiar dhe suksesin si sipërmarrje biznesi.
Ky miliarder i industrisë së ndërtimit sot është në udhëkryqin e radhës tek Reali i Madridit, klubi që e bëri më të shquar se të gjitha sukseset e tij në biznesin e ndërtimit. Me shumë gjasë, skuadra do ta përfundojë sezonin pa asnjë trofe, përjashton Kupën e Botës për Klubet, që është “dhuratë” nga edicioni i kaluar.
Si rregull, Perezi e ka shkarkuar gjithnjë trajnerin që nuk ka fituar trofe, ndonëse “gijotina” nisi shpejt, me largimin e Hulen Lopetegit që në tetor. Santiago Solari nuk do të ishte një shkarkim i madh, ndërsa kërkohet një emër i denjë për stolin. Zidan? Jo, nuk pritet që të kthehet! Maurisio Poçetino? “Një ditë do të kthehem në Spanjë”, – ishin fjalët e argjentinasit, që la të nënkuptohej se ajo ditë nuk ka ardhur ende.
Zhoze Murinjo? E mundshme, por edhe vetë Perezi e kupton se nuk do të ishte e lehtë që portugezi të kishte sukses. Në tre sezonet që drejtoi në të kaluarën, fitoi një titull dhe një Kupë të Mbretit, asnjë Champions, pak për standardet e klubit.
Perez jo gjithnjë pati sukses me trajnerët. Gaboi me largimin e Del Boskes, me transferimin e Makeleles, dhe krijimin e një skuadre galaktikësh, më shumë për imazh. Provoi Luksemburgon, Pelegrinin, Keirozin, Kamaçon, Huande Ramosin, Benitezin. Sukseset e vetme i pati me Del Bosken, Murinjon, Ançelotin dhe sidomos me Zidanin, por a do ta gjejë “gjeniun” e radhës?
Sfidanti.al