Solskjer, “vrasësi me fytyrë fëmije” mund të jetë Fergi Nr. 2 tek Junajtidi!

Ishte fillim gushti i 2008-ës kur “Old Trafordi” u nda nga njëri prej heronjve të tij. Ole Gunar Solskjer, i mbiquajturi “vrasësi me fytyrë fëmije” i dha fund karrierës në moshën 35-vjeçar, i përcjellë nga plot 69 000 tifozë të Junajtidit. Sër Aleks Fergusoni, legjenda e stolit që e kishte sjellë në Mançester 12 vjet më parë, ishte i emocionuar, dhe as nuk e mendonte se ky norvegjez mund të ishte shpresa për të imituar rekordet e tij.

Solskjeri u largua, ndërsa la pas kujtimin e golave të filluar në 1996, e të përfunduar në 2008, mes të cilëve, më i famshmi ai i finales së Championsit në “Kamp Nou”, fituar me përmbysje ndaj Bajernit.

Njeriu me njeriun takohet, thotë fjala e urtë, dhe tifozët e pritën me krahë hapur, kur ai shkeli sërish në “Old Traford”, për të ringjallur një skuadër të vdekur nga Zhoze Murinjo.

S’ka përse të kujtojmë se çfarë bëri ai që nga 19 dhjetori i vjetshëm, kur për më pak se dy muaj e gjysmë, ktheu fatin e një sezoni. Dhjetë fitore e asnjë humbje në 12 ndeshje në kampionat, duke u ngjitur në vend të tretë, në zonën Champions. Tri fitore në Kupën e Anglisë, me synim drejt trofeut. Kualifikim për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me mënyrën më madhështore të mundshme, sukses 3-1 në fushën e Paris SG, pas disfatës 0-2 të duelit të parë.

“Ne tani mund të shkojmë deri në fund të rrugës, – u shpreh Solskjeri, – padyshim që kemi ëndrrat tona, por gjithsesi, le të presim shortin dhe t’i marrim ndeshjet siç të jenë. Mendoj se e merituam, dhe jam i lumtur për lojtarët, por edhe për mësuesin tim, Sër Aleksin që ishte krenar për ne”.

A do t’ia japë më në fund, klubi, kontratën e përhershme? “Unë vazhdoj të bëj punën time sa më mirë të mundem, nuk më takon mua që të përgjigjem tani për këtë, – tha norvegjezi, – unë jam duke bërë më të mirën. Pak rëndësi ka nëse do të jem apo jo, unë jam një tifoz i Mançester Junajtidit dhe do ta ndihmoj gjithmonë”.

Festimet pas triumfit ishin të çmendura, por krejtësisht të merituara. Lojtarët, të papërmbajtshëm në dhomën e zhveshjes në “Park dë Prensis”. Legjendat e vjetra si ish-kapitenët Patris Evra dhe Erik Kantona, gjithashtu patën emocione të forta, dhe dhanë mesazhe urimi me gjithë zemër, dhe me shpresën e rikthimit tek lavdia. Këtë të sillte ndër mend fotoja e Solskjerit me Fergusonin dhe Kantonanë, simbolet e gati 40 trofeve me Mançester Junajtidin.

Shpesh epokat e mëdha nisin siç nuk pritet. A nuk ndodhi kështu me Barcelonën që i besoi një trajneri në atë kohë të dorës së dytë si Guardiola, skuadrën e mbushur me yje, skuadër që Pepi e bëri më të famshmen e botës. Pronarët e Junajtidit, miliarderët e familjes Glejzër, shpresojnë të kenë qëlluar në shenjë.

Sfidanti.al