Festimet për “dopietën” e Interit janë shoqëruar edhe me polemika, pas disa pankartave provokuese të shfaqura nga Marcus Thuram kundër rivalëve të Milani. Gjatë paradës festive me autobusin e hapur në rrugët e Milano, sulmuesi francez mori nga tifozët disa pankarta tallëse ndaj kuqezinjve. Njëra prej tyre paraqiste një mi me fanellën e Milanit, ndërsa një tjetër kishte një mesazh ofendues në lidhje me derbet e fituara (‘Derbet e fituara futi në b…’). Pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta në Itali dhe tani diskutohet nëse Thuram mund të përballet me ndonjë sanksion disiplinor.
Mediet italiane kujtojnë një episod të ngjashëm të vitit 2007, kur ish-mesfushori i Milanit, Massimo Ambrosini, gjatë festimeve për triumfin në Ligën e Kampioneve, kishte shfaqur një pankartë me përmbajtje fyese ndaj Interit. Në atë rast, Ambrosini u referua nga organet disiplinore dhe më pas u ndëshkua me gjobë pas një marrëveshjeje. Për momentin nuk ka ende një vendim zyrtar për Thuram, por sulmuesi zikaltër rrezikon një dënim të ngjashëm nëse autoritetet sportive vendosin të hapin procedurë disiplinore ndaj tij.
sfidanti.al

