Ç’ndodhi në “Bernabeu”, Reali bëri lojën, Barça bëri golat!

E dinim prej kohësh se nuk ishte dhe nuk është Barcelona e tiki takës. Ditët e futbollit të të dashuruarve janë sot në Mançester, dhe në kombëtaren e Spanjës, me Guardiolën e Luis Enriken, por gjithsesi kjo Barçë e Valverdes vazhdon ta ketë hijen të rëndë. Jo me dominim të lojës, por me boshtin e saj të çeliktë që e ndihmoi të fitonte 3-0 në “Santiago Bernabeu” dhe të kualifikohej për finalen e Kupës së Mbretit, në dëm të Realit.

Ishin madrilenët e Solarit që bënë lojën dhe humbën raste, me të riun Vinisius hero dhe fajtor, pasi krijoi shumë dhe humbi po shumë. Tek Barça ishte Ter Shtegen, si gjithnjë “engjëlli mbrojtës” në portë, si dhe Luis Suarez, “djalli mbrojtës” në sulm. Katalanasit praktikisht shkuan vetëm 3-4 herë në portën e vendasve, dhe shënuan 3 gola. Luis Suarez në 50’, autogol i Varanit në 69’ dhe penallti e Suarezit me “Panenka” në 73’.

Barcelona në finalen e Kupës, në pritje të rivalit që do të dalë nga gjysmëfinalja Valencia-Betis. Reali humbi një tjetër objektiv, pasi La Ligën vështirë se mund ta pretendojë, ndërsa Championsi nuk duket e lehtë që të fitohet me formën e tanishme. Ndaj Barçës nuk humbi fytyrën, pasi luajti shumë mirë, por tregoi se nuk është një skuadër e madhe, prandaj humbi 0-3.

Sfidanti.al