Gjermanët kanë një histori të gjatë me Milanon, qytetin që e kanë pasur të tyrin në kohët e mesjetës së hershme, të asaj të vonë me austriakët, dhe ku kanë hyrë pushtues në 1943, në Luftën e Dytë Botërore. Në metropolin e madh italian do të mësyjë një “invazion” ndryshe gjerman, ai i tifozëve të Ajntrahtit të Frankfurtit.
Të trimëruar nga forma shumë e mirë e skuadrës, plot 13 500 përkrahës do të jenë në stadiumin “San Siro” për ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Interit. Me treshen e sulmit Rebiç-Joviç-Haler, skuadra fitoi vjet Kupën e Gjermanisë, dhe tifozët ëndërrojnë për një rikthim në kohët e arta të fundviteve 50-të apo fundviteve 70-të, kur Frankfurti ishte fuqi në Bundesligë dhe në Europë.
Ata duan që të lumturohen sërish siç ndodhi në 1980, kur Frankfurti fitoi Kupën UEFA, kur gjysmëfinalet ishin plotësisht gjermane, dhe kur shkatërruan Bajernin 5-1, përpara sesa të fitonin finalet ndaj Borusias së Mynshengladbahut. Atëherë shkëlqenin Pecei, Lorant, Karger, Grabovski e Holcenbajn, ndërsa më pas për Ajntrahtin luajtën futbollistë të shquar si Joakim Lëv, Uve Bajn, Tomas Bertold, Andreas Këpke apo Andreas Mëler.
Sfidanti.al