Arsenali nuk i humbi nga sytë kryesuesit e Premier Ligës dhe kaloi me sukses përballjen me Bornemuthit, duke fituar 3-1. Arsen Venger me siguri do të jetë ndjerë shumë me fat që në skuadër ndodhej “një farë” Aleksis Sançez, autor i dy prej golave. Kileni shënoi shpejt golin e parë, pastaj londinezët lejuan miqtë të barazonin me penalltinë e Uilsonit, por suksesi nuk i shpëtoi nga duart. Teo Ualkot i kaloi në epërsi dhe në fund Aleks Sançez vulosi fitoren.
Një fitore pas 3 barazimeve është një lehtësim i madh, ndërsa Venger e di se çdo fitore në muajin nëntor, të mbushur me dëmtime, duhet të quhet sukses. Këtë e dinte mirë publiku prej gati 60 000 tifozësh në “Emirejts Stejdium”, që brohoriti fort lojtarët e tij. Me këtë tripikësh, “topçinjtë” u ngjitën në kuotën e 28 pikëve, 3 më pak se Çelsi dhe dy prapa Liverpulit e Man. Sitit.