Futbollisti i Beshiktashit, Rikardo Karezma, edhe pse 33 vjeç, po luan një futboll mjaft të mirë dhe këtë, sikurse thotë ai, planifikon që ta bëjë edhe në sezonet e ardhshëm. Pjesëtari i përfaqësueses portugeze, gjatë këtij sezoni, ka arritur që të shënojë tre gola në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, duke sjellë ndërmend lojërat e tij më të mira, dikur në karrierën e tij, ndërkohë që me siguri edhe ai vetë nuk e ka pritur se do të arrijë një formë kaq të mirë, tani, kur i ka mbushur me kohë të 30-tat.
“E ndjej veten mirë dhe të sigurt. As që e kisha menduar se, në moshën 33 vjeç, do të arrija të luaja mirë dhe që të isha në një formë të tillë. Te Beshiktashi, e ndjej veten si në shtëpinë time. Në këtë klub, me mua sillen sikur të isha vetë zoti. Vetëm gjuha portugeze më mungon këtu! Mendoj se, tani, jam bërë një lojtar i kompletuar, madje, nganjëherë, mendoj me shaka me vete se kushtoj 100 milionë euro”, thotë futbollisti veteran Karezma.