Barça ndihet e qetë: Jemi 7 pikë përpara Realit, jo gjashtë!

Renditja thotë “plus gjashtë”, por rregullorja korrigjon në “+7”. Kjo është dhe duhet të jetë diferenca e Barcelonës me Realin e Madridit në ligën spanjolle, pas javës së 23-të. Barazimi i dytë radhazi i katalanasve, dhe fitorja e dytë radhazi e madrilenëve, bënë që distanca të shkojë nga 10 pikë epërsi, në vetëm 6. Natyrisht, rregullorja parashikon që në rast pikësh të barabarta, i pari është ekipi me bilanc më të mirë në ndeshjet direkte, dhe Barça tregon me krenari superfitoren 5-1 të fazës së parë.

Edhe pse nuk pritej që katalanasit ta vinin titullin në diskutim në këtë mënyrë, sërish nuk ka ndonjë habi shumë të madhe. Barça është bërë një ekip që nuk ka siguri për fitoret, dhe nuk ka një sistem të përcaktuar qartë si në kohën e Guardiolës apo Luis Enrikes. Lojtarë ka shumë, por herë çalon njëri, herë tjetri, ndërsa Mesi pak nga pak po mbush 32 vjeç.

Për më tepër, tani fillon një Epokë Ferri, pasi ndeshjet janë radhazi, Vajadolidi në kampionat, pastaj Lioni në Champions, shkohet në fushën e Seviljes, pastaj në “Bernabeu” për gjysmëfinalen e dytë të Kupës, dhe sërish në “Bernabeu” për kampionatin. Pas kësaj do të shihet sesi janë shanset e Barcelonës.

Sfidanti.al