Iu afrua një tripëll dabëlli, diçkaje të madhe për çdo basketbollist të zakonshëm. Gjithsesi, ai është Lebron Xhejmsi, numri 1 i botës, dhe nuk mund të ndihet i kënaqur me kaq, sidomos kur humbet. Los Anxhelos Lejkërsat pësuan një humbje dërrmuese, 120-143 në fushën e Filadelfias, pak ditë pas katastrofës me Indianën, dhe Lebroni nuk ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, madje as i skuadrës së tij.
Kajl Kuzma, ylli i ri i Lejkërsave, shënoi 39 pikë, duke qenë më i miri i takimit (të paktën për pikët), ndërsa Lebroni shtoi 18 pikë, 10 topa në tabela dhe 9 asistë. Qendra e marrë nga Golden Stejti, Xhavejl Mekgi, realizoi 21 pikë dhe kapi 13 topa në tabela.
Dominuesi i përballjes ishte një tjetër, pikërisht Xhoel Embijd i Filadelfias, që shënoi 37 pikë, kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 3 asistë. Gjigandi nga Kameruni ishte tepër i saktë, duke gabuar vetëm një herë nga vija e gjuajtjeve për tri pikë (2/3). Filadelfia pati lojtarin e marrë në dimër, Tobias Harrisin, që shënoi 22 pikë, ndërsa Redik shtoi 21 pikë.
Humbja bëri që Lejkërsat të mbeten në vendin e 10-të në Konferencën Perëndimore, 2 humbje më shumë sesa vendi i 8-të që të kualifikon për në plej of, dhe që mbahet nga Los Anxhelos Klipersat. Filadelfia, ndërkaq, është në vend të katërt në Lindje.
Sfidanti.al