Një “Mjekër” po dominon NBA-në, Xhejms Harden vendos sërish rekorde

Ende nuk është gjetur mënyra për ta ndalur. Xhejms Harden me gjasa thuajse të sigurta, do ta fitojë çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit në NBA, ndërsa në çdo ndeshje po e konfirmon veten. Kapiteni i Hjustonit vendosi rekordin e pikëve në karrierë, me 61 të tilla, shënuar në Arenën e famshme “Medison Skuer Gardën” të Nju Jorkut.

Ishte pikërisht Harden që ndihmoi skuadrën të triumfonte 114-110 ndaj Niksave, ndërsa barazoi edhe rekordin e Kobi Brajantit, si lojtari që kishte shënuar më shumë pikë në Metropolin e botës. Jo vetëm kaq, por ai pati ndeshjen e 21-të radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara, duke lënë pas njërën nga seritë e legjendës Uilt Çembërlen.

Gjithsesi, Çembërlen, mban tri seritë e tjera, ku bën dallim sidomos ajo me 65 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara. Harden do të përpiqet të paktën të ngjitet në vend të dytë, por për këtë i duhen të paktën edhe 10 ndeshje të tilla. “Mjekra” pati edhe 15 topa të kapur në tabela.

Ai vazhdon të jetë shënuesi më i mirë i sezonit me 36.3 pikë për ndeshje, duke ndihmuar Hjustonin të përmirësohet këtë vit, duke u ngjitur në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore.

Sfidanti.al