Emrin e ka “Bashkimi për Lojën e Topit Klopenburg”, shkurt BV Klopenburg, dhe luan në kategorinë e pestë në Gjermani. Ky sezon i skuadrës së themeluar 100 vjet më parë po shkon keq e më keq, dhe BVK-ja ndodhet në vendin e fundit në Niderzaksenliga (Liga e Saksonisë së Poshtme), ndaj edhe drejtuesit menduan për një vendim radikal dhe të padëgjuar.
Në krye të djemve futbollistë në ligën rajonale, u caktua që të ishte një trajnere femër. Heroina e sotme e futbollit gjerman të meshkujve e ka emrin Imke Vybenhorst, një vajzë ende e re, vetëm 30-vjeçare. Ish-kampione e Europës me Gjermaninë U19, Imke ka luajtur 116 ndeshje në Bundesligën e femrave me Hamburgun dhe Klopenburgun, pra e njeh klubin. Imke është gruaja e parë që drejton një skuadër në Oberligë.
Gazeta “Di Velt” i bën menjëherë pyetjen: “Mos vallë, do të vendosësh ndonjë sirenë alarmi në kokë kur të hysh në dhomën e zhveshjes, në mënyrë që lojtarët të veshin të paktën ndonjë palë mbathje?” Imke kundërsulmoi fort: “As që më shkon ndërmend, unë kam qenë profesioniste, dhe nuk më bën aspak përshtypje kjo gjë”. Presidenti i Klopenburgut shpreson që trajnerja e tij t’ia dalë ndaj një mentaliteti seksist që besohet se ende ekziston në futbollin e burrave.
Sfidanti.al