Akuzat në shtyp, për një fond prej 4 milionë eurosh që UEFA i ka dhënë për klubet shqiptare, por asnjëherë nuk kanë shkuar në destinacion, e ka bërë FSHF-në të ndryshojë taktikë. Edhe më parë është folur për skandale, por gjithçka është shoqëruar me një heshtje të gjatë nga institucioni. Ndërsa tani flitet për para dhe në këtë rast kërkohet një justifikim i menjëhershëm. Që nga Duka dhe deri tek punonjësi më pak i rëndësishëm në Federatë, janë angazhuar në një fushatë bindëse, me fjalë dhe me letra, duke nxjerë dhe më pas komentuar tabela me shifra, me një zell jo shumë të njohur për publikun.
E gjithë asistenca e FSHF-së për klubet në vite, që edhe juristi e cilësonte fillimisht si “dhuratë”, kishte bashkangjitur një faturë, sipas të cilës ishin klubet që duhet të hapnin një fond solidariteti për Federatën. Flitej për para “kesh”, të dhëna klubeve kur drejtoheshin nga njerëz që nuk janë më dhe në fund vjen goli i rradhës. Komiteti Ekzekutiv pranoi se ky institucion zemërgjerë, sidoqoftë e ndjen veten debitor ndaj anëtarëve të tij, kështu që ka vendosur të shpërndajë 200 topa futbolli. Ndërsa për të kuptuar se sa kanë përfituar nga kjo pjesë e fondit, duhet pritur tabela financiare e rradhës, për të parë çmimin e çdo topi.