Ndeshje e dhjerë thotë Gaz Demi,por për “pusetën” kujdesen ata lart!

Mund ta thotë vetëm presidenti Demi i Partizanit. Askush nga presidentët e tjerë, të cilët kanë provuar të luajnë me stadiume të “vdekura”, me tifozë të dëbuar masivisht , nuk e kanë lëshuar në publik shprehjen ndeshkuese “ Ishte një ndeshje e dhjerë Partizani me Kukësin”. Me të vërtetë ishte një ndeshje …me brekë të mbushura nga vetmia . Dhe kjo për meritë të “pusetës” së bllokuar sipër në FSHF, ku predikohet, deri në prishje nga qejfi, se po jetojmë në kohën e stadiumeve të reja, ndërkohë që nuk u lejoka të mbajnë peshën e tifozëve sepse kujdesen ata lart me dënime sisitematike! Dhe flitet për ndeshjen Partizani-Kukësi, dy ekipe që rivalizojnë atë dreq titulli, dy ekipe që kur përballeshin një vit më parë, krijonin zhurmën më të madhe në garën e kampionatit. Madje me eufori thuhej sikur përplasen dy trena me vagonë të mbushur. Kjo ndeshja e së premtes ishte e më shumë se e ftohtë, gati e vdekur , si dy ekipe që më shumë dukeshin sikur po linin amanetin e fundit, sesa po luftonin për titull…
Ishte një ndeshje e dhjerë ! Nuk harrohen fjalët e Demit , madje nëse kuptohen mirë nga të gjithë, janë një lloj proteste për lojën që vazhdon pa kuptim. Për atë lojë që shtiret e gjallë kur është më shumë e vdekur. Dhe tamam, si në ato varrimet që nuk lejohen të gjithë të marrin pjesë, edhe ndeshjet e futbollit në pragfundin e vitit 2018-të, shikohen nga pak vetë, si në një funeral-ndeshje. Duket si ëndërr e plotësuar për disa që futbollin ta kishin për vete, në stadium të dëgjohet vetëm zëri i tyre, pasi zaret për fatin e lojës janë hedhur me kohë dhe futbollistët vlejnë vetëm si maskë…
Sfidanti.al