Yjet e Bajernit rrënuan Gjermaninë, tani po rrënojnë Bajernin

Të gjithë e dimë se baza e kombëtares së Gjermanisë është Bajerni i Mynihut. Nojer, Humels, Boateng, Kimih, Tomas Myler apo Vagner ishin titullarët e bavarezëve sezonin e kaluar, dhe shtylla e formacionit të Joakim Lëvit në dështimin e madh në Botëror. Pasi shkatërruan ëndrrat e tifozëve në Kupën e Botës, ata po dëshpërojnë tifozët në “Alianc Arena”, duke mbetur 9 pikë prapa Dortmundit në garën për titull në Bundesligë. Këtë e bëri barazimi 3-3 në Mynih me Dyseldorfin.

Dëmtimet, ngopja dhe gjendja e tyre fizike e psikologjike po e bëjnë të pamundur që Bajerni të ketë një lojë të vetën, dhe që të pretendojë për të mbrojtur titullin. Bashkë me ta, në skuadër janë edhe veteranët e “stazhionuar” Riberi e Roben, një Levandovski që donte me patjetër të shkonte tek Reali, si dhe disa yje të dëmtuar si Koman apo Tiago Alkantara.

Çfarë do të ndodhë me trajnerin Niko Kovaç? Nuk është e lehtë për drejtuesit bavarezë që të shkarkojnë kroatin, ashtu siç bënë me Karlo Ançelotin vitin e kaluar. Shenja për “kryengritje” nga lojtarët nuk ka, ndërsa Jup Hajnkes vështirë të jetë sërish në dispozicion. Gjithsesi, presidenti Hënes nuk e përjashtoi përgjegjësinë e trajnerit.

“Nuk mund të them tani nëse Niko Kovaç ka dështuar, – ishin fjalët e tij pas barazimit 3-3 me Dyseldorfin, –  nuk ka qenë kurrë në natyrën e Bajernit që të nxitohet. Gjithsesi, unë nuk mund të përjashtoj asgjë, kur ne të përfundojmë analizën tonë”. Kovaç dhe, ndoshta edhe Joakim Lëvi, duhet të shkojnë e t’i bëjnë një vizitë Jup Hajnkesit për të kuptuar se çfarë magjie përdori ai vjet me skuadrën bavareze.

Sfidanti.al