“Asi nën mëngë”, Dembele, shpëton Barçën ndaj Atletikos!

Gati dy shekuj më parë, një diplomat francez i thoshte kryeminstrit britanik, Lordit Palmerston, se “zotëri, ju gjithnjë keni një as nën mëngë”, sepse Palmerstoni zgjidhte edhe problemin më të vështirë në minutën e fundit. “Është Zoti që e vendos aty”, ishte përgjigja krenare e anglezit.

Duke u kthyer tek futbolli, Usman Dembele, është kthyer në “asin nën mëngë” për trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverde, ndonëse nuk ishte Zoti që e fali dhe që e vendosi në stol, por ishte vetë trajneri.

Sulmuesi francez u fut në lojë në pjesën e dytë dhe shpëtoi ekipin nga humbja në fushën e Atletikos së Madridit, duke realizuar golin e barazimit 1-1, pikërisht në sekondat e fundit. Ky barazim bëri që Barça të ruajë kryesimin në La Liga me 25 pikë ndaj 24 të Atletikos, ndonëse Sevilja apo Alaveshi mund të dalin në vend të parë nëse fitojnë ndeshjet e tyre këtë javë.

Atletiko kaloi në epërsi në 77’ me anë të Diego Kostës, dhe ishte pranë fitores, ndonëse Barça pati 59 për qind zotërim topi, gjuajti 8 herë drejt portës (2 Atletiko) dhe pati 8 korne (2 Atletiko).

Dembele ishte i kritikuari i madh në klubin katalanas gjithë këto ditë, dhe i meritoi të gjitha “tërheqjet e veshit”. Gjithsesi, përderisa është i dobishëm, nuk është e drejtë që ai të përjashtohet për fare. Kjo, besohet, ishte arsyeja që Valverde e fali dhe e përfshiu në skuadër. Dembele e shpëtoi Barçën edhe në 3 nëntor, në ndeshjen në fushën e Rajo Vajekanos, duke sjellë përmbysjen 3-2 në minutat e fundit.

Sfidanti.al