E mbani mend shprehjen e vjetër “Nuk numërohen qimet e gomarit me doreza boksi”. E ka merituar një vend në kujtesë dhe qëndron e gatshme të përdoret se herë që futbolli kërkon të numërojë milionat që ka humbur gjatë këtyre viteve.Sidoqoftë, historia e 4 milionë eurove, të cilat nuk kanë shkuar tek futbolli i fëmijëve, por janë zhdukur tek loja e burrave të mëdhenj, do të mbetet një mollë sherri. Një histori tradhetie, me një çmim të bujshëm, që e detyroi “mbretin” të shfaqej pa vonesë në ekran, duke sfiduar me frazën mospërfillëse ” Mos i kërkoni këto para, se ua kemi ndarë klubeve”. Një shpjegim prepotent, por tejet emancipuese për ata që kujtonin se FSHF ka zemër të madhe kur fal drita për stadiume,kur dhuron tapete bari, kur konverton dhunën me para, apo kur delegon para kudoqoftë, por jo në numrin e llogarisë së klubit.
Sa herë që presidenti del në erkan, loja e tij duket më shumë e parashikueshme, sesa loja e kuqezinjëve qe nuk kane vetem nje trajner. Një lojë që e nxiti më shumë imagjinatën, kur në intervistën e fundit në “Skaner”, një emër që nuk i shkon për shtat sinqeritetit të munguar,presidenti ka thënë një batute që vlen më shumë se 4 milionë euro:” Nuk bëj dashuri me trajnerin De Biazi”. Përse kjo deklaratë, fill pas ndeshjes me Izraelin, ku trajneri i fushës u dorëzua pa kushte. “Romeo dhe Zhuljeta”, në versionin kuqezi, dashurohen dhe tradhëtohen marrëzisht, sa, ata që duan të futen në krevatin e tyre të lojës, ngatërrohen me këmbët e veta. Kujtoni tradhëtinë pas ndeshjes me Maqedoninë, kur vetë shefi, dhe më pas vartesit, sulmuan “Zhuljetën”, që nuk kishte luajtur me topa aq të gjatë, sic lakmonin atje lart. Ishte një fitore dhe u trajtua si një humbje.Kurse, me Izraelin, ekuacioni kuqezi të vendos pas murit, kur për një humbje te hidhur, flitet sikur të kishe fituar. Dhe pyetja ndjellese, a janë akoma të dashuruar presidenti Duka me trajnerin De Biazi, e mori përgjigjen në fushë, pikërisht kur nga fusha doli Hysaj për tu futur Çani. Ndërrimi më i pakuptimtë për tifozët, dhe gjesti që damkosi dashurinë e rindezur të dyshes së majës.
gezim sinemati