Bajerni i Mynihut do të ketë dy mungesa jo edhe aq të parëndësishme në përballjen që do të luajë në Rusi për Ligën e Kampionëve. Trajnerit Karlo Ançeloti nuk do t’i përgjigjen në apel, për takimin ndaj Rostovit, portieri Manuel Nojer dhe mesfushori Arturo Vidal. Nojer ndjeu shqetësime në pulpë pas ndeshjes në Dortmund dhe nuk u stërvit dot të hënën, ndaj edhe stafi mjekësor nuk deshi të rrezikonte me numrin 1 të portës. Kampioni i Botës pritet të jetë i gatshëm në fundjavë ndaj Leverkusenit në Bundesligë.
Arturo Vidal pritet të mungojë më gjatë. Kileni vuan nga dëmtimi i pësuar me ekipin kombëtar në ndeshjet e Botërorit, dhe nuk është e sigurt që ai mund të bëhet gati për të shtunën. Në Rusi, Ançeloti do të aktivizojë portierin e ri, Ulrajh, që do të luajë ndeshjen e katërt me Bajernin, ndërsa pritet të ketë të gatshëm dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm si holandezin Arjen Roben, dhe spanjollin Havi Martinez.