Shqipëria nuk u mund nga tensioni i krijuar nga masat e marra nga policia, por nga Izraeli, në ndeshjen e fundit eleminatore të Europianit. Kështu mendon Xhani De Biazi. “Jo, kjo është shaka, – u shpreh trajneri, në një intervistë për “Top Channel”, – policia ishte për ne, siç ishte dhe për ata. Të mos fshihemi pas gishtit, ndeshjen e humbëm sepse pësuam atë gol që mund ta evitonim, me një faull që nuk e di nëse ishte dhe një karton të kuq që gjithashtu nuk e di nëse ishte”.
Trajneri i kombëtares i doli në krah tifozëve për bojkotimin e ndeshjeve në Shqipëri, duke u shprehur se “mbështes tifozët në problemet e tyre sepse janë të veçantë”, gjithsesi shtoi se në një ndeshje si ajo me Izraelin kishte rrezik ndaj kontrollet duheshin. De Biazi deklaroi se kombëtarja është shumë e motivuar, pavarësisht suksesit në Europian, dhe po ashtu e bashkuar edhe pse Lorik Cana nuk është më në fushë. Ai beson se Shqipëria ka ende çfarë të japë në këto eleminatore, ndërsa përfundoi duke thënë se ndoshta do të luhet një miqësore përpara ndeshjes me Italinë në 24 mars.