Azdren Llullaku nuk është aspak një sulmues që nuk di të shënojë. Futbollisti i kombëtares shqiptare, la pas “thatësirën” në ndeshjet e Botërorit, për të vazhduar me golat në Ligën e Parë të Rumanisë. Sulmuesi realizoi golin e vetëm të Gaz Metanit në ndeshjen e kampionatit rumun në fushën e vështirë të Vitorulit. Të dyja skuadrat luftojnë për një vend në Europë, ndaj barazimi 1-1 ishte tepër i rëndësishëm për ekipin e Llullakut. Shqiptari nga Kosova humbi fillimisht një rast të pastër, por shpejt e dërgoi topin në rrjetë për avantazhin e përkohshëm të Gaz Metanit. Gjyqtari e anuloi golin, por më pas ndërroi mendje dhe ai u quajt i vlefshëm. Në pjesën e dytë, Vitorul barazoi rezultatin, ndërsa shqiptari u zëvendësua 5 minuta para fundit. Llullaku është shënuesi më i mirë i Ligës së Parë të Rumanisë me 13 gola në 16 ndeshje.