Topi i Artë, tifozët kundër përjashtimit të Mesit e CR7-ës

Prej 10 vjetësh kanë dominuar skenën, por duket se sërish i kanë tifozët me vete. Dashamirësit e futbollit kanë bërë “kryengritje” nëpër sondazhe, e nëpër rrjete sociale, që dy gjigandët këtë vit nuk do të kenë shans të luftojnë për Topin e Artë, ashtu siç nuk patën shans për çmimin e lojtarit të vitit të FIFA-s. Mesi u la jashtë “finalistëve” prej shumë kohësh, por mesa kuptohet këtë fat do të ketë edhe Kristiano Ronaldo. RFI (Radio Frans Internasional) njofton se treshja fatlume, që do të jetë në finalen e fundit të “Frans Futbollit”, përbëhet nga Luka Modriç, Kilian Mbape e Rafael Varan.

Do të jenë këta, mesa duket, që do të luftojnë për çmimin prestigjioz në 3 dhjetor në Paris. Mesi ishte rekordmen i golave në Europë sezonin e kaluar, si dhe fitoi La Ligën dhe Kupën e Mbretit. Ronaldo fitoi Championsin, shënoi 15 gola në 13 ndeshje të saj dhe pati 44 gola në edicion, por që të dy u snobuan. Në sondazhin e “La Gazeta delo Sportit” ishin plot 70 për qind që u shprehën kundër mënyrës së përzgjedhjes nga revista franceze. Për ta, Mesi e Ronaldo duhej të ishin sërish pretendentë.

Sfidanti.al