Siti, “tri shpulla” Murinjos, Guardiola fiton derbin dhe merr kryesimin!

Plot 12 pikë diferencë, vetëm pas 12 ndeshjeve. Jo më kot thuhet se e vërteta është e hidhur, dhe e tillë duhet t’i duket Zhoze Murinjos pas humbjes së derbit. Mançester Siti tregoi epërsi të madhe në klas me Junajtidin, duke triumfuar 3-1, në një duel që mund të kishte përfunduar me shifra më të thella. E tillë ishte diferenca mes dy ekipeve.

David Silva kaloi vendasit në epërsi në stadiumin “Etihad” që në minutën e 12-të, ndërsa Junajtidi në ata 12 minuta kishte bërë vetëm 11 pasime, nga të cilat veç 5 të saktë.

Siti, në një moment shumë të mirë në çdo konkurrim ku merr pjesë, thelloi epërsinë në nisje të pjesës së dytë me golshënuesin më të mirë të skuadrës në histori, Kun Agueron.

A mund të ketë justifikim për Mançester Junajtidin? Murinjo tha pas ndeshjes se ekipi i tij luajti mirë, por me gabime, veçse faktet janë kokëforta.

Junajtid pati vetëm 35 për qind zotërim topi, vetëm një gjuajtje në kuadrat, atë të penalltisë kthyer në gol nga Antoni Marsial, dhe vetëm një goditje nga këndi. Nuk kishte ndodhur në 40 vjet që “djajtë e kuq” të kishin golaverazh negativ pas 12 javësh kampionat.

Me këtë fitore, Mançester Siti u ngjit sërish në vend të parë, me 32 pikë, ndaj 30 të Liverpulit, por skuadra e Guardiolës ka shënuar shumë më tepër gola.

Gjithsesi, duket se do të jetë një edicion i Premier Ligës shumë emocionues, ndërsa kurrë në historinë e kampionateve angleze, nuk kishte ndodhur që tre ekipet e vendeve të para të mos pësonin humbje pas 12 ndeshjeve të para. Siti, Liverpuli e Çelsi do të kenë një garë të vërtetë për titullin.

Sfidanti.al