Kur Gonzalo Higuain mori kartonin e kuq në minutën e 84-ët, gjithçka u bë e qartë. Milani do të humbiste ndaj Juventusit, edhe pse luante në “San Siro”, në një test realiteti për të besuarit e trajnerit-luftëtar, Xhenaro Gatuzo.
“Nuk i bihet murit me kokë”, thotë populli, dhe ne themi se “nuk hahet inat me Juven”, edhe pse futbolli gjithnjë i ka brenda të tre rezultatet. Mario Manxhukiç shënoi që në minutën e 8-të për miqtë nga Torino, që u duk se e kontrolluan ndeshjen, për të gabuar e për të rrezikuar shumë në minutën e 41-të, kur Higuain mori përsipër të gjuante penalltinë.
Ishte 11-metërsh i dhënë me VAR, ndërsa u mendua se gjyqtari Maxoleni mund të jepte të verdhë për Benatinë, diçka që nuk e bëri. Nëse do t’ia kishte dhënë, Juvja do të mbetej me 10 lojtarë, pasi Benatia ishte ndëshkuar me të verdhë edhe më herët. Higuain, gjithsesi, e humbi 11-metërshin, prekur nga Shezni drejt shtyllës, ndërsa në pjesën e dytë nuk mjafton zemra e madhe e kuqezinjve.
Kristiano Ronaldo mbylli llogaritë në minutën e 81-të, dhe u kuptua se Milani vërtet është ekip për në Champions, por jo për të mundur Juventusin kampion. Hierarkia është krijuar tashmë në Serinë A, me Juven që kryeson me 34 pikë ndaj 28 të Napolit, dhe me Milanin në vend të pestë me 21 pikë, vetëm 1 pikë larg zonës Champions, pra Lacios së vendit të katërt.
Sfidanti.al