Dy gola, por jo festë për Mesin, Barçë përse humbe me Betisin?!

Duhej të ishte mbrëmja e madhe e rikthimit të Mesit. Vërtet, duhej, pasi nuk ndodhi kështu dhe argjentinasi u prit me një humbje në shtëpi, ndërsa la pas dëmtimin. Festa u prish nga Betisi, skuadër e Seviljes që triumfoi 4-3 në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, kampione dhe kryesuese e La Ligës.

Një ndeshje që filloi dhe përfundoi e tensionuar për vendasit, të cilët ishin edhe të lodhur, por edhe disi të vetëkënaqur pasi kaluan me sukses provat me Interin në Champions.

Zhunior Firpo e Hoakin shënuan dy golat e parë për miqtë në pjesën e parë. Pas pushimit, erdhi reagimi i katalanasve, por jo i mjaftueshëm. Mesi shënoi me 11-metërshin e fituar nga Zhordi Alba, por Barça është sot një ekip thuajse pa mbrojtje. Argjentinasi Zhovani Lo Selso realizoi për 3-1 për Betisin, duke e bërë shumë të vështirë detyën e lojtarëve të trajnerit Valverde.

Pati sërish shpresë në “Kamp Nou”, kur Mesi krijoi aksionin e golit të tretë, realizuar nga Arturo Vidal, veçse nuk qe e thënë që kampionët të merrnin të paktën një pikë.

Betisi ndëshkoi sërish dobësinë difensive të katalanasve, duke bërë që goli i fundit, realizuar nga Mesi të ishte thjesht një kënaqësi personale. Edhe pas kësaj humbjeje, Barcelona mbeti në krye të renditjes në La Liga, me 24 pikë, veçse me vetëm 1 pikë më shumë sesa Atletiko e Madridit apo Sevilja.

Kampionët e Spanjës nuk po gjejnë dot stabilitet, duke kaluar nga ndeshje të mëdha si ndaj Realit e Interit, në paraqitje të dobëta si ndaj Leganjesit apo Betisit, dhe kjo ia rrezikon objektivin në kampionat dhe në Champions.

Sfidanti.al