“Ka punë, ka para”, boksieri Belju si “kavje” e biznesit!

Kishin kaluar veçse pak minuta nga nokauti që e nxorri humbës, por Toni Belju nuk mund të kishte kohë për të marrë veten, për t’u shlodhur apo për t’iu bërë një vizitë mjekësore. Jo! Janë nënshkruar kontrata (përgjakshmërisht “të shenjta”) dhe ato duhen respektuar, ndaj edhe boksieri anglez duhej të jepte intervistën e programuar (ndoshta, një ditë do të programojnë me kontratë edhe lindjen, dhe vdekjen!).

Natyrshëm, 35-vjeçari nisi të fliste përçart, të përsëriste veten dhe të thoshte se gjysmën e ndeshjes nuk e mbante mend. E tillë ishte goditja e pësuar nga ukrainasi Oleksandër Usik në ringun e Mançesterit, në duelin për titull botëror në peshat e mesme. Tifozët e boksit, shumë më tepër të ndjeshëm dhe njerëzorë sesa ata që fitojnë miliona nga kontratat, nisën të sulmonin në rrjetet sociale, duke e quajtur të padrejtë që Belju të torturohej ashtu për të dhënë intervista.

Kjo më kujtoi një histori nga gazetaria, që shërben për të kuptuar se deri ku arrin absurdi i njeriut. Nja 20 vjet më parë, gazetari i CNN-in, superprofesionisti Piter Arnet, arriti të ngrinte pyetjen se “në rast se jemi në detyrë si gazetarë në luftë, dhe pranë nesh është një njeri i plagosur që kërkon ndihmë, duhet ta ndihmojmë apo të mos ndërhyjmë dhe të vazhdojmë punën”.

Arnet e mendonte luftën njerëzore si xhunglën ku fotografët dhe amatorët rrinë e vështrojnë sesi luani shqyen gazelën! Vetëm pak vite më vonë, kur ndjeshmëria iu kthye pjesërisht dhe akuzoi SHBA-në për luftën në Irak në 2003, Arnet erdhi në vete, ndërsa CNN e hoqi “superprofesionistin” nga puna.

Historitë e tipit “Arnet” apo kontratat e tipit “Belju” na kujtojnë batutën tek filmi shqiptar “Përballimi”, “ka punë, ka para”. Kjo qenka motoja e jetës, të tjerat duhet të pranojnë profesionizmin dhe biznesin.

Sfidanti.al