Magji në Tokën e Shenjtë! Kombëtarja “fiton” edhe pas një..humbjeje!

Ata që janë në fronin e qeverisë së futbollit kanë qeshur me stil tallës me vesin e dikurshëm të paraardhësve të tyre, të cilët arritën gjestin rekord.. të japin premio edhe për “humbje dinjitoze”. Pa e ditur se edhe në kohën e tyre “moda qesharake” mund të kthehej pësëri. Dhe kjo për shkak të një humbjeje krejt ndryshe, nga ato ku trazohet për bukuri mjalti me helmin. Kemi humbur pastër me 2 gola, ku do të ishte idotësi të dyshohej për meritën e mbrojtjes sonë, prapëseprapë, ndihemi të vjedhur! Dhe ku? Në tokën e premtuar. Ka shumë arsye përse kjo humbje rrezaton një lloj magjie, madje edhe na duket si.. bereqet, ngaqë Kombëtarja , pas 11 apo 12 ndeshjeve me Panuçin, gjeti fillin logjik të humbur frikshëm. Tani mund të thuhet me mburrje “memecit” i erdhi goja në lojën sulmuese. Nuk e besuam trajnerin Panuçi kur pat thënë, në prag të ndeshjes, se kishte jetuar javën më të lumtur me futbollistët kuqezi, ata që , befas, ishin betuar sikur do të bënin diçka të shenjtë në tokën e shenjtë..
Po si ka mundësi, kur një humbje kaq e pastër, dygolshe, me një Izrael që kishte më shumë pushtet konkret me topin, të shkaktojë kaq mbresa. Aq sa të na futet në kokë ideja se këto lloj disfatash janë ..fitore për të nesërmen. Siç duket, të lodhur me humbjet që ngallin trishtim , mos flasim këtë herë për ato që provokojnë edhe dyshime, kjo e fundit, do të kujtohet se në futboll je i fituar edhe kur ..humbet pa ulur kokën. Kaq ngushëlluese kjo e fundit, sa bekojmë me nxitim , tipike në llojin tonë ,zbulimin e Uzunit e Vrionit. Madje aq sa “falet” edhe gjumi i madh i mbrojtjes tek goli i parë, një gol i denjë për në pavionin golave që shkojnë për ..bamirësi . Një gol për të cilin , sipas zakonit të vjetër , fajësia mbetet anonime edhe kur dëgjon trajnerin Panuçi që mjaftohet me qortimin pupël “na gjetën në gjumë” apo autoritarin Hysaj, i cili kur flet nuk ka talentin e fushës, që gati thotë se goli ishte një budallallëk me bri, një gjë pa lidhje, vetëm se fajtorët duhet t’i gjejmë vetë se ata nuk na ndihmojnë dot…

G.Sinemati.
Botuar ne gazeten Panorama Sport