Nejmar, nuk do kishe bërë qejf me Zvezdën e Saviçeviçit!

Në vitet 80-të, e deri në 1991, madje edhe në vitet më të largëta 70-të, nuk ishte aspak punë e lehtë të luaje ndaj Crvena Zvezdës. Që nga koha e trajnerit Miljaniç dhe yllit Dragan Xhajiç, për të ardhur tek skuadra e “Piksi” Stojkoviçit, Saviçeviçit, Prosineçkit, Jugoviçit e Mihajloviçit, formacioni më i fortë i Jugosllavisë ishte bërë tmerri i Liverpulit, Realit të Madridit, Bajernit dhe Olimpikut të Marsejës.

Sot jo më, dhe Nejmar e pati shumë të lehtë të tregohej “trim”, pas “drurit” që hëngri në “Anfild” me Liverpulin ku vështirë se e pa topin ndonjëherë me sy. Sulmuesi brazilian shënoi 3 gola, duke plotësuar heroizmin e tij me një goditje dënimi vërtet të bukur në fund. “Ney” mori qendrën e skenës nga yjet e tjerë si Kavani, Mbape apo Di Maria, të cilët shënuan nga një herë. Zvezda u mund 1-6, e impresionuar nga superskuadra e sotme milionere e Francës, krejt ndryshe nga brezi i artë i 1991-it që nuk u “tut” aspak nga milionerët e Marsejës së presidentit Bernar Tapi.

Sfidanti.al