Renato Sançez kishte fituar famën aspak të lakmueshme të dështimit të palëkundshëm. Talenti i ri portugez, i paguar “si frëngu, pulën” nga Bajerni në 2016, kishte qenë larg përmbushjes së pritshmërive gjatë gjithë dy viteve, qoftë në Bavari, qoftë në Premier tek Suonsi.
U desh kthimi në shtëpi, për më tepër në një ndeshje me reklamë të madhe si e Championsit, që djaloshi 21-vjeçar të tejkalonte mallkimin. Sançez shënoi një gol shumë të bukur duke ndihmuar Bajernin të fitonte 2-0 në stadiumin e Benfikës, ndaj klubit ku ai ishte rritur.
Trajneri Niko Kovaç është njeriu që Renatoja duhet ta falenderojë për shansin. Kroati e mori nga Suonsi duke i dhënë një shans të dytë, por vetë portugezi e bindi trajnerin e tij. “Renato ishte i shkëlqyer në fazën përgatitore, dhe ai do ta kishte mundësinë, – tha Kovaç, – tani që iu dha, u përgjigj më së miri”.
Sfidanti.al