Plas dashuria për Pogbanë, por ky a e do trajnerin Murinjo?!

Pol Pogba ishte kryefjala e Mançester Junajtidit në fitoren ndaj Jang Bojsit në Zvicër, dhe lavdërimet për kampionin e botës ishin “pa doganë”. Kritikët e tij të mëparshëm, Pol Skoulls e Rio Ferdinand, që të dy ish-lojtarë të Junajtidit, e mbuluan me lëvdata për paraqitjen në Champions që e quajtën “të jashtëzakonshme”.

“Ky djalë ka aq shumë talent, saqë i del nga çdo pore e trupit”, – ishin fjalët e Ferdinandit. “Nëse ai e bën këtë paraqitje më shpesh, akush nuk do të mund të matet me të”, – vlerësoi me paralajmërim, Skoulls, edhe vetë një mesfushor i madh në kohën e tij.

Ka plasur, pra dashuria, për Polon, por pyetja që vjen natyrshëm është: Vetë Pogba a ka ndopak dashuri për trajnerin e tij Zhoze Murinjo? Vështirë ta kuptosh, madje mund të vihet bast se ai ende mendon largimin, por vetë Murinjo nuk u kursye. “Paraqitja e tij ishte shumë e mirë, – tha portugezi, – nga fundi, ai u lodh pak dhe prandaj e zëvendësoja, por tregoi klas, ishte i qendrueshëm dhe i dha skuadrës shpejtësinë që i duhej”.

Sfidanti.al