Vendimi i trajnerit të përfaqësueses së Spanjës, Luis Enrike, që të mos ta thërrasë Zhordi Albën për ndeshjet e para të Ligës së Kombeve u prit shumë keq nga tifozët. Arsyeja është se ky mbrojtës i Barcelonës po luan shumë mirë këtë fillimsezoni, ndërkohë që kundër Hueskës që Barcelona e fitoi me rezultatin e thellë 8-2, Alba shënoi gol dhe ishte një nga më të mirët në fushë.
“Dikush duhet t’i japë atij (Luis Enrikes) videon e lojës mes Barcelonës dhe Hueskës. Luis Enrike, a je në terezi? Me gjithë mend e ke se ka mbrojtës të majtë më të mirë se Zhordi Alba”, shkruante, midis të tjerave, gazeta “Marka”.
Edhe vetë Zhordi Alba nuk e kupton se përse trajneri Enrike nuk e ka përfshirë atë në listën e 23 lojtarëve që do të luajnë në kuadrin e Ligës së Kombeve kundër nënkampiones së botës, Kroacisë, dhe Anglisë së ripërtërirë të vendit të 4-t në Botërorin e fundit. Ndeshja debutuese e Luis Enrikës do të jetë ajo në “Uembli”, më 8 shtator.
Sfidanti.al