Vite më parë, ish-lektori i shquar italian i Koverçanos, Franko Ferrara, i mësonte kështu trajnerët shqiptarë në kursin e tyre të kualifikimit. “Nëse jeni në dhomën e zhveshjes me skuadrën, dhe hapet dera e hyn presidenti, ju duhet të rrini i qetë me duar të kryqëzuara, – thoshte Ferrara, – presidenti do të thotë ato fjalë që dëshiron dhe pasi ai të largohet, ju do t’u thoni lojtarëve: Vazhdojmë tani?”
Më shumë sesa “hapini rrugë budallait”, kjo do të thotë “hapini rrugë padronit, pa dëmtuar punën tuaj”. Në Serinë A, të paktën disa presidentë sillen ende si feudalët në filmin që kemi parë dikur, me personazh Vito Juvarën, që bënte ç’të donte me vajzat e fshatarëve të varfër.
Pas Lotitos së Lacios që u soll si harbut me trajnerin e tij, Simone Inzagin, ja ku del në skenë edhe Aurelio De Laurentisi, “doni” i Napolit, që priti derisa Mauricio Sarri të largohej në Londër. “Ne i dhamë Sarrit gjithçka dhe në 3 vjet nuk fitoi asgjë, – u shpreh bosi i Napolit për “L’Ekipin”, – jemi të lumtur që luajtëm futboll të bukur, por të hidhëruar që nuk fituam gjë”.
De Laurentisit ndoshta ka harruar se Napoli e humbi Serinë A vetëm sepse fitoi Juventusi, dhe se dy vjet më parë, ai pranoi 90 milionë euro pikërisht nga Juventusi, ndërsa humbi sulmuesin kryesor, Gonzalo Higuain.
Sfidanti.al