Partizani arriti një fitore shumë të rëndësishme dhe mjaft të vështirë në fushën e Kamzës, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të Superligës. Skuadra kryeqytetase nuk e pati aspak të lehtë përballë vendasve që luajtën shumë mirë, por ia doli falë një goli me goditje dënimi shënuar nga Bruno Telushi.
Futbollisti vlonjat goditi në pjesën e dytë, ndërsa Partizani erdhi duke e rritur lojën, e duke krijuar shumë raste për shënim. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Skënder Gega patën edhe fat, pasi Kamza humbi penallti në fund të pjesës së parë. Portieri Alban Hoxha priti gjuajtjen e Plakut. Me këtë sukses, Partizani la pas humbjen në Korçë duke u konfirmuar pretendent për titull.
Fitore e vendasve në ndeshjen tjetër të së shtunës në Superligë. Laçi ia doli 2-1 ndaj Luftëtarit edhe pse me përmbysje. Gjirokastritët shënuan në pjesën e parë, por rezultati ndryshoi në pjesën e dytë, kur Laçi shënoi në minutat e fundit. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për ekipin kurbinas të drejtuar nga trajneri Mergjyshi.
Sfidanti.al