Lionel Mesi, pasi i “lëpiu plagët” që mori në Botërorin e Rusisë, ku Argjentina la shumë për të dëshiruar me paraqitjen e saj, duke dalë jashtë konkurrimit para kohës, bëri një paraqitje dinjitoze, duke e ndihmuar Barcelonën që të fitonte Superkupën spanjolle, pasi ajo mundi 2-1 Seviljen, dhe duke fituar kështu trofeun e parë në sezonin e ri. Megjithëse Mesi nuk shënoi asnjë nga dy golat, ai ka arsye që të gëzohet më shumë, sepse ai u bë lojtari më me shumë trofe në historinë e klubit katalonjas.
Për Mesin, kjo Superkupë ishte trofeu i 33-të në konkurrimin me ekipin e të rriturve të Barcelonës, duke e kaluar kështu Andres Iniestën që u largua për në Japoni, pasi kishte fituar me klubin katalonjas 32 trofe. Mbas tyre vijnë dy lojtarë të brezit të tyre, Zherar Pike dhe Serhio Buskets me nga 28 trofe. Ky është një tregues tjetër se Barcelona, momentalisht, ka brezin e lojtarëve më të mirë në historinë e vet.
Sfidanti.al