Niko Kovaç e nis nga Levandovski, Superkupa është e Bajernit

Fitues ishte sërish i njëjti trajner, me emrin Robert Kovaç. Kroati, veçse, këtë radhë triumfoi me skuadrën tjetër, atë që mundi në maj, kur ishte në stolin e ekipit që mundi tani në gusht. Bajerni stërfitoi në finalen e Superkupës së Gjermanisë, 5-0, ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit, dhe për çudi, protagonisti kryesor ishte ai që duhej të ishte larguar, Robert Levandovski.

“Nëse nuk je i lumtur, nuk mund të japësh maksimumin”, tha së fundmi Pol Pogba duke iu referuar gjendjes së tij tek Man. Junajtid, por Levandovski ose është plotësisht i lumtur, ose e ka fare të lehtë të shënojë 3 gola në një ndeshje, edhe kur është i mërzitur. Sulmuesi polak besohet se ende dëshiron të shkojë tek Reali, por vështirë se Bajerni do ta lejojë.

“Leva” arriti në kuotën e 154 golave gjithsej për bavarezët (në 196 ndeshje), dhe të 335 golave për klubet. Bashkë, me rrjetat për Poloninë afrohen në 400. Me një sulmues të tillë, Kovaç mund të ndihet i sigurt, ndërsa pret të kthehen nga dëmtimet apo të gjejnë formën maksimale Hames Rodrigez, Zherom Boateng apo Korenten Toliso. Kjo ishte Superkupa e tretë radhazi për Bajernin, që arriti në 59 trofe në Gjermani, dhe 70 trofe gjithsej në histori.

Sfidanti.al