Reali pa Ronaldon? Bilanci i verës është shpresëdhënës!

Në katër ndeshje mund të nxirret një përfundim, qoftë edhe me kujdes të madh. Realit nuk i shkoi keq vera e parë pa Kristiano Ronaldon, pavarësisht humbjes së miqësores së parë ndaj Mançester Junajtidit. Formacioni i Hulen Lopetegit fitoi tri të tjera radhazi, ndërsa në total arriti të shënonte 9 rrjeta, aspak keq duke pasur parasysh fortësinë e rivalëve. Përveç Junajtidit, sfidat ishin ndaj Juventusit, Romës e Milanit.

Frika më e madhe e analistëve dhe e vetë drejtuesve madrilenë ishte mungesa e gati 50 golave sezonalë të CR7-ës, që tashmë është tek Juvja. Për fat, deri tani, po “përgjigjen” të tjerët, me Bejlin e Asension me nga 3 realizime, Benzemanë dy dhe Majoralin një, që të gjithë lojtarë të sulmit. Bie sidomos në dy bashkëpunimi shumë i mirë Bejl-Benzema, lojtarë që nuk ishin në Botëror, një lajm i mirë ky për Realin.

Për më tepër, Lopetegi ka mundësi për të ndryshuar lojtarët në fushë dhe skemat. Gjatë verës u provuan edhe Sebajos, Naço, Odriozola, Jorente, Vinisius, ndërsa në portë do të jetë dueli Kejlor Navas-Kurtua.

Sfidanti.al