Janë 93 deri tani, bashkë me Superkupën e fituar këtë të diel. Barcelona vazhdon marshimin për të shtuar “mullarin” e trofeve, duke qenë për momentin mbi Realin e Madridit, në numrin e përgjithshëm. Gjithsesi, për klubin e lavdishëm katalanas nuk ishte aspak e lehtë të thyhej rezistenca e Seviljes, ekipin që “blaugranët” e mundën në finalen e Kupës së Spanjës.
Sarabia shënoi golin e parë, avantazhin e Seviljes, ndërsa ishte momenti i parë historik i përdorimit të teknologjisë VAR në futbollin spanjoll. Anësori e anuloi golin për pozicion jashtë loje, por VAR-i vendosi drejtësinë. Gerard Pike realizoi në fund të pjesës së parë (pas shtyllës me goditje dënimi të Mesit), përpara sesa Usman Dembele të fiksonte shifrat në 2-1, 12 minuta para fundit, me një rrjetë spektakolare.
Sevilja goditi gjithshtu shtyllën, por sidomos humbi penalltinë në minutën e 91-të. Ishte Ter Shtegen që e shkaktoi, dhe po Ter Shtegen që priti gjuajtjen e dobët të Ben Jederit.
Sfidanti.al