Rezistoi si burrë deri në fund dhe mbajti premtimin. Kishte deklaruar që në 2016, se do të tërhiqej nga kombëtarja e Spanjës pas Kupës së Botës në Rusi dhe Gerad Pike bëri pikërisht kështu. i rezistoi tundimit të shpeshtë për të braktisur “La Rohën”, atë që në një farë mënyre e quante ekipin e tij përfaqësues të imponuar, përballoi edhe presionin e tifozëve thuajse në çdo stadium të Spanjës, sidomos pas referendumit katalanas për pavarësi.
Tashmë, Pike është njeri i lirë, një katalanas i çliruar që nuk do të ketë mbi supe barrën e të qenit edhe simbol i pavarësisë katalaniste, edhe futbollist kryesor i Spanjës. Kjo kontradiktë tashmë nuk ekziston. Trajneri i ri i Spanjës, Luis Enrike, e telefonoi ish-lojtarin e tij në “Kamp Nou”, por prej tij dëgjoi fjalët e vendosura, “shef, nuk kthehem mbrapsht”.
“Fola me Luis Enriken pak ditë më parë, – u shpreh 31-vjeçari, – më telefonoi dhe i thashë se vendimin e kisha marrë kohë më parë, dhe se isha menduar me kujdes. Ishte kohë e mrekullueshme në kombëtare, ku pata mundësinë të fitoja Botërorin dhe Europianin. Tani dua të përqëndrohem tek Barcelona”. Pike luajti 102 ndeshje për “furitë e kuqe”, duke fituar Kupën e Botës në 2010, dhe Europianin në 2012.
Sfidanti. al