Një deklaratë e mbrojtësit Mavraj, ka qënë tepër e veçantë, të paktën kështu të krijon përshtypjen për alibinë pas ndeshjes me Izraelin: “ U krijua panik dhe stres, policia përçau edhe tifozët kuqezi”. Sa herë që humbasim me përmasa, sa më shumë gola mbledhim në portën tonë, aq më shumë rritet edhe dashuria për tifozët. Nëse do të bënim një sforcim në arsyetim, dhe do të pranonim se shkaktare për humbjen ishte policia dhe futbollistët nuk kanë faj për çorbën në fushë, atëherë le të kujtojmë disa ditë të tjera, të lavdishme, ku policia dukej e bukur edhe pse gabonte në kurriz të tifozëve..
Ishte shtruar tapeti i kuq, nga Rinasi në Tiranë, për të pritur heronjtë e Francës. Edhe pse nuk e dinim se çfarë vendi zumë në Europian, pritja do të ishte madhështore, sikur kishim fituar trofeun. Për çudi, rrugët nuk kishin as popull, as tifozë që të festonin bashke më Kombëtaren, e cila përshëndeste në boshllëk nga një autobuz-tribunë e lëvizshme. Policia ishte urdhëruar që futbollistët t’i dergonte drejt e në zyrat e politikës, duke i privuar njerëzit e thjeshtë nga ekipi i zemrës.
Disa dekorata, dhe disa buste imagjnarë, që u ngritën ato ditë, ia zunë gojën presidentit Duka, trajnerit De Biazi dhe futbollistëve, sigurisht edhe Mavrajt, që të pyesnin e jo më të ankoheshin : po popullin kuqezi përse e përzunë nga rrugët? Atëhere, kur policia i jepte pompozitet dhe prepotencë udhëtimit të tyre drejt selive të politikës, policia është shfaqur e bukur, e saktë, aq sa nuk kishte një kokërr njeriu nëpër rrugë. Jo më të flitej për tifozë, për ata që na nderuan në Francë dhe i zhdukem si me magji në Tiranë.
Gëzim Sinemati