Pronari i Napolit ironi me Sarin: E do të gjithë ekipin te Çelsi!?

Duke qenë se sezonin e kaluar, Napoli e humbi garën për “skudeton” e Italisë, ky klub po përpiqet që të krijojë një ekip të ri të fortë që të jetë në gjendje ta konkurrojë denjësisht Juventusin e “paprekshëm” në luftën për titullin e Serisë A, duke pasur parasysh, ndërkohë, se “zonja e vjetër” u përforcua kohët e fundit me futbollistin më të mirë zyrtar në botë, Kristiano Ronaldo.
Por, njeriu nr.1 i Napolit, Aurelio de Laurentis, tani ka një problem tjetër, sepse trajneri i deriparapakkohshëm i qytetit në rrëzë të Vezuvit (Sari) do që të blejë lojtarët më të mirë të ekipit që ai ka drejtuar deri tani dhe t’i sjellë ata te Çelsi. Përforcimin e parë që ai mori nga Napoli, është Zhorzhinjo. Por interesimi për lojtarë të tjerë të Napolit nuk ka mbaruar, duke e shqetësuar së tepërmi presidentin e Napolit, De Laurentis.
“Mua nuk më pëlqejnë ato që thotë dhe po bën Sari. Ai nuk shkoi mirë me disa lojtare, madje, doli kundër tyre, duke thënë se nuk bëjnë. Sidoqoftë, kjo është puna e tij dhe ai iku. Por, tani ai do që të më marrë të gjithë ekipin dhe ta çojë te Çelsi”, tha i nervozuar De Laurentisi.
Sfidanti.al