Franca, kampione e botës, dorëzohet Kroacia!

Më në fund, parashikimet u respektuan që të gjitha. Kampione e botës doli Franca, jo Kroacia, dhe kjo ishte përgjigja pa asnjë lëkundje e finales së Moskës. Një kombëtare heterogjene, simbol i vërtetë i epokës globale të njerëzimit, me shumë talent, shumë energji, edhe pse jo me spektaklin që pritej prej saj. Triumfoi ekipi përfaqësues i kombit të madh me 67 milionë banorë, ndaj atij të vendit të vogël me pak më shumë se 4 milionë.

Shifrat 4-2 nuk lejojnë kritika për fituesit, i cili thuhet se nuk gjykohet, dhe Franca vërtet që nuk vodhi asgjë. Një autogol i Manxhukiçit, pastaj Grizman me penallti, si dhe Pogba e Mbape, pas pushimit. Kroacia, sidoqoftë, “vdiq në këmbë”, nëse mund të përdorim një shprehje figurative. Barazoi me anë të Ivan Perishiçit në pjesën e parë, pastaj pati epërsi në lojë, në kombinime, duke dhënë shembullin sesi duhet të luhet futbolli.

E nisi ndeshjen më mirë, dhe bëri që Franca të dukej e vogël përpara saj. Modriç, Rakitiç apo Perishiç dëgjoheshin shumë më tepër në komentime sesa yjet francezë. Gjithsesi, energjia nuk mjaftoi, pasi lodhja e tri ndeshjeve radhazi me nga 120 minuta, dhe dy herë me penallti, më në fund u ndje.

Në futboll ka shumë rëndësi forca fizike dhe shpejtësia, elementë që i pati më shumë skuadra e trajnerit Deshamp, tani kampion bote si lojtar e si trajner, ashtu si më parë Zagallo e Bekenbauer. Kroacia pati shansin e dytë në 20 vjet dhe e humbi, por kjo humbje ishte si një fitore. Fitoi Franca që, me dy tituj botërore, hyn mes emrave të mëdhenj të futbollit, si Brazili, Gjermania, Italia, Argjentina apo Uruguaj i dikurshëm.

Sfidanti.al